Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike:  Librazhdi kufizohet në veri me bashkinë Bulqizë, në lindje me Republikën e Maqedonisë, në jug me bashkinë Përrenjas dhe në perëndim me bashkitë Elbasan dhe Tiranë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Librazhdit.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Librazhdi ka një popullsi prej 31,892 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 44,181 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 793.36 km2. Sipas regjistrit civil, densiteti i popullsisë është 55.68 banorë/km2 sipas ndërsa sipas censusit, densiteti është 40 banorë/km2.

 Profili i bashkisë

Bashkia e re e Librazhdit shtrihet në lindje të Shqipërisë, në një zonë me bimësi të pasur, hapësira të gjera pyjore dhe burime të shumta hidrike. Librazhdi u shpall qytet në vitin 1958 si një qendër e industrisë ushqimore dhe e shfrytëzimit të pyjeve. Në censusin e vitit 2001, qyteti i Librazhdit numëroi rreth 7 mijë banorë. Nga bashkia e re, pjesa më e madhe e popullsisë së kësaj bashkie jeton në zonat rurale.

Parku kombëtar Shebenik- Jabllanicë përbën një ndër pasuritë e rralla natyrore dhe me biodiversitet të larmishëm të bashkisë së Librazhdit. Përveç këtij parku, treva numëron edhe 26 monumente të tjera natyrore, të listuara si të kategorisë së parë.

Kjo bashki përbëhet nga 7 njësi administrative, të cilat janë: Librazhd, Qendër Librazhd, Hotolisht, Lunik, Stëblevë, Polis dhe Orenjë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Librazhdit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 52 fshatra.

Bashkia e re e Librazhdit ka potencial për zhvillimin e turizmit malor, por një gjë e tillë ka qenë jashtë vëmendjes së drejtuesve vendorë deri më sot. Mbrojtja e parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë dhe përfshirja e tij në guidat e turizmit malor në vend do të krijonte një perspektivë të re zhvillimi për Librazhdin dhe banorët e këtyre zonave.

Paralelisht me resurset natyrore, zona e Librazhdit shquhet për folklorin e pasur, kostumet popullore të veçanta dhe zanatin e ndërtimit të shtëpive. Kjo zonë ka kultivuar gjithashtu mjeshtërinë e përpunimit të gurit dhe të drurit.

 

Ndarja Territoriale, Njesite Administrative dhe Popullsia